Në saje të bashkëpunimit të BIK-ut me Minisitrinë e Shëndetësisë, sot pas namazit të xhumasë në lokalet e KBI-Prishtinë (Xhamia e Madhe) ka qëndruar një ekip mobil për vaksinimin e qytetarëve të interesuar pa pasur nevojë të kenë termin.
Kryeimami Burhan ef. Hashan, para mediave të shumta që kishin ardhur të përcjellin procesin e vaksinimit, tha se ashtu siç është rekomanduar nga Kryesia e BIK nëpër xhamitë e Prishtinës këtë xhuma u bë thirrje për vaksinim kundër COVID-19.
“Në kuadër të ligjëratës së ditës së xhuma (dt.12.11.2021) me rekomandim të Kryesisë së BIK ne bëm thirrje dhe apel për xhematin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës në përgjithësi, që t’i përgjigjen thirrjes së Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së për vaksinim kundër virusit fillestar Covid 19, si dhe si masë parandaluese ndaj infektimit me variantin e ri të koronavirusit – Delta Plus, mutacion i ri i cili përhapet me lehtësi dhe i cili paraqet rrezikshmëri më të lartë për shëndetin e njeriut”, tha Kryeimami Hashani.