Dy hafuzë të rinj i shtohen Prishtinës

Ubejd Salihu dhe Semi Mujka, nga sot edhe zyrtarisht janë hafuzë të Kuranit famëlartë. Kjo pasi në Xhaminë e Madhe Sulltan Fatih në kryeqytet, nën organizimin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, u mbajt ceremonia e Hifzit, ku ishin të pranishëm hoxhallarë, familjarë dhe xhematë. Me këtë rast u shfaq edhe një program i pasur kulturor nga nxënësit të cilët kënduan kuran, kaside, ilahi, por dhe recituan poezi.

Kryetari i KBI-Prishtinë, Hetem ef Sopjani pasi falënderoi të pranishmit, tha se sot është një ditë e veçantë për Prishtinën, pasi po i shtohen edhe dy hafuzë të rinj, të cilët do t’i shërbejnë për të mirë vendit, fesë dhe ardhmërisë sonë të përbashkët.

Kryetari Sopjani tha se nga viti 2016 deri më sot, nëpër zyret e KBI-Prishtinë kanë kaluar me qindra fëmijë të moshave të ndryshme të cilët kanë mësuar fenë.

Ndërsa Kryeimami Burhan ef Hashani, duke vlerësuar punën e mualimëve që veprojnë në kuadër të KBI-Prishtinë, Fatlum Mehmeti dhe Kadrije Dragusha –Ademi, tha se tanimë kryeqytetit po i kthehet nami i dikurshëm kur safat e xhamive ishin të mbushur me hafizlerë.

Kryeimami Hashani më tutje shtoi se po punojnë që të kthejnë edhe traditën e mësim-besimit nëpër të gjitha xhamitë e Prishtinës, teksa paralajmëroi se shumë shpejt do të organizohet edhe ceremonia e radhës për hafizlerë të tjerë që do të dalin nga ky Këshill.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Nevzat Sabri Akin, nga Zyra Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë, i cili vlerësoi punën dhe angazhimin e KBI-Prishtinë për mësim-besim, veçanërisht për memorizimin e Kuranit famëlartë.

Për të pranishmit nxënësit që ndjekin mësimet në këtë Këshill shfaqen një program të pasur kulturor, ndërsa nga efendilerë të nderuar u këndua Kuran dhe kaside.

Në fund për hafizlerët e rinj dhe nxënësit që janë në proces të memorizimit të Kuranit, nga drejtues të Këshillit u ndan Mirënjohje.

Mirënjohje u ndan edhe për mualimët, Fatlum Mehmeti dhe Kadrije Dragusha-Ademi.