Për nder të Natës së Miraxhit Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës, të mërkurën (10.03.2021) pas namazit të drekës në Xhaminë e Madhe organizoi një manifestim kulturor.
Me këtë rast kryeimami Burhan efendi Hashani mbajti një ligjëratë kushtuar kësaj nate, ndërsa u këndua edhe Kuran dhe Kaside.
Në ligjëratën e tij kryeimami Hashani theksoi rëndësinë e kësaj nate dhe mësimet që duhet nxjerrë njerëzimi nga israja dhe miraxhi.
Lejletu-l-Miraxhi është natë për të cilën flet edhe Kur’ani edhe Hadithi, ndërsa me këtë përcaktim nënkuptohet Israja (udhëtim gjatë natës nga Mekkeja deri në Kuds në Jerusalem) dhe Miraxhi (ngritja e të Dërguarit të Allahut deri në Sidretu-l-muntehaa), të cilat ndodhën në të njëjtën natë.
Sipas burimeve historike, kjo ka ndodhur në njërën nga periudhat më të vështira të pejgamberisë së Muhammedit, s.a.v.s., menjëherë pas sunetu-l-hudhna (vitit të dëshpërimit) në të cilin i Dërguari humbi dy mbështetësit më të fuqishëm, ndihmuesit dhe mbrojtësit në mesin e njerëzve, h. Hatixhen dhe Ebu Talibin.
Pas kësaj humbje, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., shkoi në Taif që banorët e atjeshëm t’i thërras në islam, mirëpo në vend të përkrahjes e përzunë duke i hedhur gurrës dhe duke e sharë. Në ato çaste i Dërguari kërkoi mbrojtje nga Mbrojtësi më i Madh dhe Allahu, xh.sh., e përgëzoi me Isranë dhe Miraxhin.
Në Miraxh, Muhammedi, s.a.v.s., ka kontaktuar pa ndërmjetësues me Allahun e Lartësuar. Gjatë kësaj Muhammedit, s.a.v.s., iu shpallën dy ajetet e fundit të sures el-Bekare, iu caktuan pesë namazet ditore dhe iu dhurua e drejta për shefat. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., në Miraxh ka parë Xhennetin dhe Xhehennemin si dhe banorët e tyre. Ka parë shenja të tjera të cilat me lejen e Allahut, xh.sh., i janë treguar.
Çdo besimtar përpiqet që ta ripërtëritë miraxhin, ngritjen e tij shpirtërore, të cilat në fakt janë rilindja e tij shpirtërore. Dhe ashtu siç Muhammedi, s.a.v.s, në miraxh ka kontaktuar me Allahun e Lartësuar, ashtu edhe çdo besimtar në namaz kontakton me Allahun dhe ngjitet mbi këtë botë materiale në botën e afërt të Allahut.
Për këtë arsye namazi është miraxhi i besimtarit.