Në Xhaminë “Sylejman ef. Mustafa” në Prishtinë, është mbajtur Duaja e Hatmes, me rastin e përfundimit të mësimit të leximit të Kuranit nga gratë që kanë vijuar mësim-besimin në këtë xhami.
Imami Ekrem Efendi Ahmeti, tha se duke u nisur nga hadithi i pejgamberit alehji selam se “Më i miri prej jush është ai i cili mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve”, në këtë xhami që prej shumë kohësh ka vazhduar mësim-besimi ku shumë gjenerata kanë mësuar leximin e Kuranit.
E ndër to edhe ky grup i grave, gjë për të cilën falënderoi mualimen që me një angazhim të palodhshëm po ia arrin qëllimit, duke ndriçuar shumë zemra me mësimin e fjalëve të Allahut xh.sh.
Mësim-besimi në këtë xhami, por edhe në disa xhami të tjera të kryeqytetit, organizohet nën ombrellën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës.
Në emër të Këshillit, imamin, mualimen, por edhe nxënëset që përfunduan leximin e Kuranit, i përgëzoi zëvendëskryeimiami Idriz Xhigoli, i cili i inkurajoi për vazhdimin e misionit që për qëllim ka avancimin e gruas muslimane.
E mualimja tha se ndjehet e privilegjuar që përmes saj shumë nëna po arrijnë të mësojnë fjalën e të madhit Zot.
Në fund para të pranishmëve një ligjëratë inkurajuese e mbajti udhëheqësja e Departamentit të Gruas, pranë Bashkësisë Islame të Kosovës, Vaxhide Bunjaku.