“E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha botërat”. (Enbija, 107)
“Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit…” (Kalem, 4)
Të nderuar vëllezër e motra!
E fillova këtë mesazh me ajetet e mësipërme nga Kurani fisnik, përmes të cilëve Zoti i gjithësisë, Allahu i Lartësuar, e cilësoi të Dërguarin e Tij, për virtytet dhe moralet e larta që i posedonte.
Muhamedi a.s erdhi në një kohë kur njerëzimi kishte shumë nevojë për mesazhet dhe udhëzimet e tij, në një kohë kur njerëzimi jetonte në errësirë të plotë, kur njeriut i kishte humbur vlera e të qenit njeri, e trajtohej si mall që mund të shitet dhe blihet; kur të drejtat e gruas as që bisedoheshin, dhe diskriminimi ishte në kulmin e vet, në të gjitha bazat e mundshme.
Ai, i Dërguari i Allahut xh.sh, erdhi në një kohë kur shkenca dhe dija ishin vënë në shënjestër të atyre që nuk vlerësonin as dije as shkencë, e që për një të vërtetë shkencore që e thoshte ndonjë shkencëtar, atij i vihej flaka për herezi.
Pikërisht kjo kohë ishte, kur njerëzimi priste mëshirën e të Madhit Zot, priste pishtarin dhe fanarin ndriçues. Dhe Allahu i Lartësuar zgjodhi që Muhamedi SalAllahu Alejhi ve Selem të jetë kjo mëshirë e ky fanar ndriçues, i cili do të vijë me moral e edukatë të lartë, kulturë e sjellje të pashembullt, model më i mirë për t’u ndjekur, me një mesazh madhështor, i cili fillonte me fjalën më të bukur: “Lexo me emrin e Zotit Tënd”. (Alek-1), e që nënkupton se ky mesazh nis me besim e shkencë, do të vazhdojë me mëshirë dhe urtësi, e do të përfundojë me drejtësi, përderisa në momentet e fundit të jetës së tij, ai, i Dërguari i Allahut, i këshilloi të pranishmit me fjalët: “Kujdes me ata që janë nën përkujdesjen tuaj…”
Të nderuar,
Mesazhi i Pejgamberit tonë, si kurrë më parë është i nevojshëm për kohën që jetojmë, kur interesat tona kalojnë mëshirën dhe drejtësinë tonë, kur nëpërkëmben të dobëtit, kur nuk nderohet i moshuari, kur respekti i ndërsjelle ka ngelur për t’u dëshiruar, kur mençuria matet me mjete materiale, kur njeriu më tepër vlerësohet për dukjen e tij se sa për të brendshmen që posedon ai.
Sot, në këtë kohë kemi nevojë për mesazhin dhe shëmbëlltyrën tënde, ja Resulullah! Kanë folur keq për ty, dhe do të flasin, sepse, fatkeqësisht, nuk të njohin ashtu siç të njohën ata që të besuan dhe të ndjekin ty deri në Ditën e Kiametit.
Me respekt,
Hetem Sopjan-Kryetar i KBI Prishtinë