Aksioni “Sofra e Ramazanit 2020” vazhdon shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike. Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” me degët e saja në gjithë territorin e Kosovës dhe të përkrahur edhe nga Këshillat e BI të Kosovës, po ndihmojnë familjet nevojtare, jetimët Këshillat Emergjent të Komunave, dhe të gjithë ata që kanë nevojë .
Me këtë rast Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava shpreh falënderime për të gjithë ata vullnetmirë qoftë nga Kosova apo diaspora që kanë mbështetur këtë aksion humanitar duke konfirmuar edhe një herë se pakot ushqimore dhe higjienike po u shpërndahen me amanet të plotë. Me këtë rast SHHB “Bereqeti” falënderon të gjithë kontribuuesit e deri tanishëm duke lutur Zotin xh.sh., që tua shtojë bereqetin dhe suksesin këtyre bamirësve por edhe tjerëve që do të ndihmojnë gjatë ditëve në vijim. Duhet theksuar se një pako ushqimore ka vlerën e 25 eurove.
Behxhet ef. Ajvazi, drejtor i Bereqetit ka thënë se deri më tani kemi shpërndarë mbi 10.000 pako në tërë Kosovën, ndërsa në Prishtinë ne kemi shpërndarë mbi 1000 pako.
Në vazhdim po prezantojmë aktivitetin e shpërndarjes së pakove nëpër disa komuna:
Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, dega në Pejë, sot në kuadër të aksionit “Sofra e Ramazanit” ndihmoi me pako ushqimore dhe miell zjarrfikësit e kësaj komune ku ka shpërndarë 40 pako ushqimore e higjienike si dhe 1000 kg miell për familjet nevojtare.
Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, dega në Ferizaj, sot vazhdoi aksionin “Sofra e Ramazanit”, duke ndihmuar 100 familje në qytetin e Ferizajt, si dhe në fshatrat Zllatar, Mirosalë, Dardani dhe Sojevë
Shoqata Bamirëse Humanitare “Bereqeti” do të jetë në terren vazhdimisht që këto pako të shpërndahen edhe gjatë ditëve në vijim.